Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, znj. Neime Binaku-Isufi, mori pjesë në takimin e organizuar më 24 shkurt 2025 nga Fakulteti Juridik i Kolegjit AAB, në kuadër të procesit të vlerësimit të jashtëm nga ekspertë ndërkombëtarë të akreditimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).
Gjatë takimit, u diskutua mbi bashkëpunimin mes Autoritetit të Konkurrencës dhe Fakultetit Juridik të AAB-së, duke vënë theksin tek aktivitetet e përbashkëta dhe rolin e institucioneve në përmirësimin e cilësisë akademike dhe praktike për studentët.
Gjatë diskutimit me ekspertë ndërkombëtarë për akreditimin e programeve akademike, znj. Binaku-Isufi theksoi se ana praktike dhe teorike duhet të harmonizohen, në mënyrë që të ketë efikasitet në punë dhe studentët të dalin të përgatitur për tregun e punës.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin profesional të studentëve të drejtësisë dhe në fuqizimin e partneriteteve që promovojnë konkurrencën dhe integritetin në treg.