1678 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Java kundër korrupsionit

Të nderuar,

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, si pikë e veçantë është përfshirë pjesa e Homologimit të Automjeteve, rreth të cilës Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka pranuar ankesa nga Instituti GAP, Shoqëria Civile, Mediat, Avokati i Popullit dhe qytetarët, për të hetuar tregun e Homologimit të Automjeteve, si monopol në këtë fushë.

Në fillim të vitit 2017, duke u bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka filluar monitorimin e këtij tregu, fillimisht duke mbledhur të dhëna nga institucionet gjegjëse, përkatësisht nga Ministria e Infrastrukturës.

Përmes këtij postimi dëshiroj që të bëjë një elaborim me të hollësishëm të kësaj dukurie, me qëllim që të gjithë akterët shtetërorë dhe opinioni i gjerë të kuptoj realitetin e Homologimit të Automjeteve.

Vendimi për themelimin e institucionit për Homologim të Automjeteve ishte vendim i Politikave qeveritare, përkatësisht Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Këtë deklaratë e bazoj në këto fakte:

- Qeveria e Republikës së Kosovës e ka paraparë që të themelohet një institucion i cili i kryen shërbimet e homologimit në nivel të vendit. Këtë parashikim e ka mbështetur duke propozuar në Kuvend Ligjin nr. 02/L-070 për sigurinë e komunikacionit rrugor , ligj i cili përcakton edhe detyrimet për homologimin e veturave.

- Si detyrim ligjor nga ky ligj, Ministria gjegjëse ka hartuar dhe aprovuar një udhëzim administrativ nr. 2008/08 për homologimin e Automjeteve. Me këtë udhëzim administrativ përcaktohen obligimet e homologimit të automjetit si tërësi, forma dhe përmbajtja e certifikatës së përshtatshmërisë, deklarata e përshtatshmërisë së mjetit, kushtet dhe kriteret që duhet t’i plotësoj institucioni i autorizuar për homologimin e mjeteve në Republikën e Kosovës.

- Si rrjedhojë e udhëzimit administrativ kanë pasuar të mëposhtmet: 
1. Marrëveshja e Mirëkuptimit mes MTPT-së dhe ndërmarrjes Eurolab e datës 22.09.2008.

2. Autorizimi për QAK (EuroLab SHPK) që t’i kryej shërbimet e “homologimit dhe mbikëqyrjen profesionale të qendrave te kontrollit teknik, në tërë territorin e Republikës së Kosovës për periudhën 07.07.2009 deri me 01.07.2019.

3. Vendimi për përcaktimin e çmimores për shërbimin e homologimit, e nënshkruar nga Ministri i MTPT dhe Ministri i Financave.

Me këtë formë procesi i homologimit ka marrë epilogun ekzekutues duke u mbështetur në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, Udhëzimin Administrativ, Marrëveshjen e mirëkuptimit për periudhën 10 vjeçare dhe vendimin e çmimores, marrëveshje e cila është ende në fuqi.

Sipas tyre, Ministria kompetente e ka përcaktuar një autoritet të vetëm për dhënien e certifikatës së homologimit. Qëllimi i mos shpërndarjes së shërbimit në më shumë operatorë theksohet të jetë për shkak të menaxhimit më të lehtë, ruajtjes e kompetencës profesionale dhe që siguria në komunikacionin rrugorë të jetë më e lartë. Kjo për faktin e thjeshtë se monitorimi dhe kontrolli i autoritetit përgjegjës të homologimit nga ana e Ministrisë do të jetë më rigoroz dhe më i lehtë. Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria përkatëse ka autorizuar një ndërmarrje private për kryerjen e shërbimeve të homologimit dhe jo ndonjë institucion shtetëror apo ndërmarrje publike.

Dhënia e eksluzivitetit për kryerjen e shërbimit të homologimit të tipit të mjetit dhe homologimi i mjeteve individuale i është besuar si tërësi institucionit të autorizuar EUROLAB (QAK).

Kompania EUROLAB QAK, përveç kryerjes së homologimit të tipit të mjetit dhe mjeteve individuale, ka autorizim për kryerjen e kontrollimit të parë teknik të automjetit dhe gjithashtu bënë mbikëqyrjen profesionale të Qendrave të Kontrolleve Teknike.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke e trajtuar këtë lëndë në mënyrë të veçantë për t’ia dhënë një verdikt final kësaj dukurie, por vetëm në aspektin e politikës së Konkurrencës.

Nga sa u tha më lart, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, do u japë institucioneve përkatëse rekomandime apo vendime se si të veprojnë rreth kësaj dukurie. Lënda është në trajtim e sipër, dhe shumë shpejtë ne do të dalim me një vendim apo rekomandim për ministrinë gjegjëse.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës inkurajon institucionet qeveritare se çdo herë që preket fusha e konkurrencës të konsultohen paraprakisht me Autoritetin e Konkurrencës, për marrjen e mendimeve profesionale dhe ligjore.

I juaji 
Valon Prestreshi