1834 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

AKK MIRATON DY MENDIME PROFESIONALE

 

AKK SHQYRTON DHE MIRATON DY MENDIME PROFESIONALE

Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka shqyrtuar dhe miratuar më 19 nëntor dy mendime profesionale, si pjesë e angazhimit për parandalimin e çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në tërë territorin e vendit.

Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, më konkretisht të Departamentit të Aviacionit Civil, AKK ka dhënë vlerësim lidhur me një “Projekt Propozimin Nxitës për zhvillimin e tregut të transportit ajror” të Kosovës përmes dhënies së incentivave ndaj operatorëve.

Sipas vlerësimit të AKK-së, një gjë e tillë nuk bie ndesh me legjislacionin që e rregullon konkurrencën në Kosovë.

Sidoqoftë, AKK këshillon MIT dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të kujdesen që gjatë përzgjedhjes se operatorëve potencial të cilët do të përfitojnë nga Programi Nxitës për Zhvillimin e Tregut te Transportit Ajror, që parakushtet e provueshmërisë në skemën e nxitjes nuk duhet te jenë të  karakterit diskriminues dhe nuk do të përjashtojnë konkurrentët potencial për te kryer shërbime te caktuara te parapara në këtë program.

Poashtu, AKK i është përgjigjur edhe kërkesës për mendim profesional nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës lidhur me “çështjen e konkurrencës së operatorëve të angazhuar për ofrimin e shërbimeve në tokë në ANP Adem Jashari”. Më konkretisht, bëhet fjalë për hapjen e tregut lidhur me furnzimin me kerozinë.

Lidhur me këtë kërkesë, AKK rekomandon Aviacionin Civil të Kosovës dhe koncesionarin LIMAK që të zbatojë Rregullat e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe të rishikojnë pengesat lidhur me Shërbimet Tokësore, siç parashihet në Marrëveshjen e Koncesionimit.- Partneritetit Publiko Privat-PPP.

AKK rekomandon që operatorët të mos kufizohen nëpërmjet kushteve dhe kritereve diskriminuese/përjashtuese dhe konsideron se kufizimet e tilla mund të qojnë në favor të një operatori të veçantë duke i vendosur në pozita të pafavorshme konkurruese operatorët tjerë.

AKK thekson se sigurimi i konkurrencës efikase do t'i mundësonte ndërmarrjeve të konkurrojnë me ofertën e tyre e cila në fund, do të jete në favor të shfrytëzueseve/përdoruesve përfundimtar të cilët do të jenë në gjendje të zgjedhin ofertën më të përshtatshme për produktet/shërbimet e operatorëve.

Deri më tani këtë vit, AKK ka dhënë rreth 10 mendime profesionale për palë të ndryshme.          

  • Share