Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka mbajtur një konferencë për media të premten, ku ka shpalosur të gjeturat e një hetimi që AKK është duke zhvilluar në lidhje me cmimet e derivative të naftës për dy muajt e fundit të vitit 2018. Prestreshi ka thënë se hetimi i AKK-së - që ka filluar në fillim të vitit 2019 - është nxitur pasi që dyshohet se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të cmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur cmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njejti përkundër rënies së cmimit në berzën ndërkombëtare. “Andaj, hetimi i AKK-së po zhvillohet për të parë nëse nësë kemi të bëjmë me ndonjë veprim anti-konkurrues nga operatorët e tregut, ose më konkretisht, nëse ka pasur ndonjë abuzim me pozitën dominuese apo marrëveshje të ndaluar nga ligjet që e rregullojnë konkurrencën në Kosovë,” ka thënë Prestreshi. Sipas tij, fillimisht, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka zhvilluar një hetim preliminar, që nënkupton mbledhjen e të dhënave nga autoritetet përgjegjëse sic janë Doganat, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ATK-ja si dhe intervistimin e operatorëve që operojnë në tregun e naftës në Kosovë. Kurse, më 15 shkurt të këtij viti, AKK ka nisur precedurën hetimore ndaj këtyre ndërmarrjeve për të zbardhur të gjitha dyshimet lidhur me ndonjë shkelje eventuale, ka thënë ai. Prestreshi ka thënë se bazuar në Njoftimin e Fakteve Paraprake të konstatuara gjatë procedures hetimore, dyshohet se kompanitë që operojnë me shitjen me pakicë të derivateve nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për cmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. “Kjo do të thotë që kompanitë që bëjne shitjen me pakicë të naftës dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%,” ka thënë Prestreshi. Sipas tij, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës. Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%, ka thënë Prestreshi. “Sidoqoftë, një vendim përfundimtar lidhur me këtë do të merret vetëm pasi që të përfundojnë afati për paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët. Ky afat është një muaj”, ka thënë Prestreshi.