Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj dhe Albion Ujkashi, për të diskutuar lidhur me vendimin e disa komunave për ta bërë ditën e dielë si ditë pushimi për bizneset.
Përfaqësuesit e këtij Rrjeti shprehën shqetësimin e tyre lidhur me pasojat negative që një vendim i tillë ka për ekonominë lokale dhe qëndrore si dhe për efektet negative në punësim.
Ata kërkuan nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që bazuar në mandatin e tij, të marrë masat e duhura lidhur me këtë situatë.
Në anën tjetër, Kryetari Prestreshi siguroi përfaqësuesit e kësaj organizate se Autoriteti i Konkurrencës është duke e monitoruar me kujdes këtë çështje, si dhe i njoftoi ata për bazën ligjore e cila e rregullon konkurrencën e lirë në treg.
Sipas Prestreshit, kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar ekonominë e vendin tonë si ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë ndërsa as dizpozitat e Ligjit të Punës nuk e përcaktojnë që dita e dielë detyrimisht duhet të jetë ditë pushimi.
Kryetari Prestreshi falendëroi përfaqëuesit e organizatës për interesimin e tyre lidhur me këtë çështje dhe i ftoi ata që të shprehin brengat e tyre për çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në Kosovë.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës
24.02.2020