Komunikatë për media
Autoriteti i Konkurrencës dhe Policia nënshkruajnë memorandum për kontrolle të paparalajmëruara
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kanë nënshkruar të Premten një memorandum bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, me qëllim të intensifikimit të koordinimit mes palëve në adresimin e shkeljeve të mundshme të konkurrencës.
Ky dokument i rëndësishëm parasheh bashkëpunimin në mes të palëve në fusha të ndryshme, përfshirë këtu shkëmbimin e informacionit, bashkërendimin e aktiviteteve, trajnimin dhe vetëdijësimin, e të tjera.
Por, një nga pikat kryesore të këtij memorandumi ka të bëjë me bashkëpunimin për kryerjen e kontrolleve të paparalajmëruara (apo siç njihet gjerësisht në gjuhën angleze si “dawn raids”) tek subjektet e dyshuara për shkelje të konkurrencës.
Kjo nënkupton që zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kërkojnë një autorizim nga gjykata kompetente për të hyrë pa paralajmërim ose leje të veçantë në selinë dhe pronat e subjekteve të dyshuara, si dhe mund të kërkojnë asistencë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në raste specifike.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka mirëpritur nënshkrimin e këtij dokumenti, që sipas tij, krijon mundësi shtesë për Autoritetin që të parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës në Kosovë.
Ai ka falendëruar Drejtorin e Policisë për gatishmërinë e tij për nënshkrimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Në anën tjetër, Drejtori Qalaj theksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë të gjitha institucionet e vendit për të zbatuar misionin e tyre të përcaktuar me ligjet në fuqi. Sipas tij, ky memorandum do ta lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin mes dy palëve.