1860 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

COVID-19 - Konference për Media

COVID-19 - Konference për Media

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka mbajtur të enjten një konferencë për media rreth masave që AKK është duke ndërmarrë pas shqetësimeve të ngritura gjerësisht në opinionin publik lidhur me dyshimet për ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre farmaceutike, në kohën kur virusi COVID-19 është shpallur si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Prestreshi ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën është vendosur që AKK të mobilizohet dhë ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë.

“Bazuar nga ajo se çfarë kemi parë në media si dhe analizave në terren, kemi vërejtur se ka një fluks të madh të njerëzve të cilët u janë drejtuar dyqaneve të mëdha për të blerë produkte ushqimore. Për këtë arsye, Autoriteti dëshiron që të sigurohet se operatorët tregtarë nuk keqpërdorin situatën e krijuar”, ka thënë Prestreshi.

“Ju njoftoj se inspektorët hetues të Autoritetit të Konkurrencës do të jenë të mobilizuar nga dita e sotme për të kryer monitorime lidhur me këtë rast,” ka thënë ai.

Ai ka njoftuar se në këto rrethana, AKK do të fillojë një shqyrtim të hetimit paraprak të situatës.

Sipas tij, në këtë fazë, AKK grumbullon të dhëna të detajuara nga operatorët e tregut dhe institucionet kompetente, siç janë Doganat, ATK e të tjera, para se të marrë një vendim për fillimin e procedurës hetimore.

Sipas Prestreshit, AKK do të vlerësojë të gjitha faktet për të parë nëse kompanitë kanë bërë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës duke kryer sjellje anti-konkurruese, gjë që do ta bëntë Autoritetin të marrë vendime të përshtatshme me situatën.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës
12.03.2020

  • Share