1890 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi në mes të AKK DHE ZRRE

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, është takuar të hënën me Ushtruesin e Detyrës së Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji z. Arsim Janova, me të cilin kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi në mes të dy institucioneve.

Marrëveshja e nënshkruar synon që të krijojë mekanizma dhe platforma konkrete të bashkëpunimit mes dy palëve drejt krijimit të një tregu të qëndrueshëm të energjisë në Kosovë, bazuar në parimet e transparencës dhe konkurrencës së lirë.

Në një konferencë për media të mbajtur pas nënshkrimit të këtij dokumenti, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, tha se përmes kësaj marrëveshjeje dhe aktiviteteve të përbashkëta, ne po konfirmojmë se sektori i energjisë përbën fushë të rëndësishme edhe për Autoritetin e Konkurrencës, i cili angazhohet që edhe në këtë sektor të kemi një treg funksional, me garë të ndershme mes operatorëve.

Gjithashtu, një ndër pikat e Marrëveshjes për Normalizim Ekonomik të nënshkruar mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe atë të Serbisë në Wshington, është që të dy palët do të diversifikojnë furnizimin e tyre të energjisë dhe në dritën e këtij zotimi, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, siç jemi ne, po përgatitemi për formën dhe mënyrën e zbatimit të kësaj pike, në konsultim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, tha ai në konferencë.

Në anën tjetër, Ushtruesi i Detyrës së Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji,  Arsim Janova, tha se e ka mirëpritur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me AKK-në.

Sipas tij, ZRRE dhe Autoriteti i Konkurrencës kanë gëzuar bashkëpunim të mirë deri më tani, por marrëveshja në fjalë do t’i intensifikojë veprimet e përbashkëta drejt krijimit të një tregu të qëndrueshëm e konkurrues së energjisë në Kosovë.

 

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës
21.09.2020

  • Share