1910 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Mbahen tri module të trajnimeve për zbatimin e konkurrencës

Tre module të trajnimeve të fokusuara në zbatimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës janë mbajtur gjatë muajit nëntor për zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Këto trajnime janë organizuar nga Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”, përfitues kryesor i të cilit është AKK.

Në trajnimin e parë të mbajtur më 2-3 nëntor, ekspertët Paul Prisecary dhe Pajtim Melan kanë prezantuar lidhur me metodat dhe mjetet ekonomike në batimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Më 12 dhe 13 nëntor, ekspertët Michael Saller dhe Vlora Ferizi kanë mbajtur trajnim lidhur me  aspektet ligjore të hetimit dhe vendimmarrjes në zbatimin e konkurrencës, kurse më 20 nëntor, eksperti Peter Gjotler ka prezantuar lidhur me identifikimin e manipulimit të ofertave si një praktikë specifike anti-konkurruese.

Në fillim të këtyre trajnimeve, Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka falënderuar Projektin për organizimin e këtyre trajnimeve, duke shtuar se është i kënaqur të shoh ekspertë me përvojë duke ndarë ekspertizën e tyre me zyrtarë të AKK-së.

Prestreshi ka nënvizuar se zbatimi efektiv i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës është kyç për qëndrueshmërinë e ekonomisë së tregut.

Në anën tjetër, Udhëheqësi i Ekipit të Projektit, Dr Eugene Stuart, tha se njohuria gjithëpërfshirëse mbi metodat moderne të zbatimit të konkurrencës është thelbësore për suksesin e Autoritetit të Konkurrencës si rregullatori i sjelljeve të ndërmarrjeve në Kosovë. Ai shtoi se Autoriteti mund të luajë një rol të rëndësishëm në luftimin e manipulimit të ofertave.

Këto module trajnimesh kanë qenë interaktive dhe një gamë e gjerë pyetjesh dhe dilemash interesante u ngritën për diskutim.

Për shkak të situatës me pandeminë, të gjitha këto module të trajnimeve janë mbajtur përmes platformës Zoom.

  • Share