Viti që po e lëmë pas ka qenë një nga vitet më sfiduese për të gjithë ne për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19. Sidoqoftë, gjatë këtij viti, ne në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës kemi arsye për t’u ndjerë krenarë për punën dhe sukseset e arritura.
Në fakt, nëse do të më duhej ta përmbledhja të gjithë punën e bërë me pak fjalë, do të thosha se ky ka qenë viti i rasteve të mëdha të trajtuar nga AKK dhe i përparimit të dukshëm në kompletimin e legjislacionit të konkurrencës bazuar në standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
Në veçanti, vendimi për rastin e njohur si “Rasti Nafta” – një vendim i cili ka shqiptuar dënime administrative në vlerë mbi 4 milionë euro për kompanitë e derivateve të naftës të cilat kanë shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës – ka treguar që Autoriteti i Konkurrencës gëzon kapacitetet e nevojshme profesionale për të trajtuar raste mjaft komplekse.
Ne tashmë e kemi përfunduar draftimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konkurrencës. Ky projektligj - i cili është hartuar me përkrahjen e ekspertëve me përvojë ndërkombëtare - i garanton kompetenca e përgjegjësi më të gjera AKK-së. Ligji por edhe Strategjia e AKK-së për vitet 2020-2023, e miratuar vitin e kaluar, përbëjnë bazë të shkëlqyeshme për punën tonë për vitet e ardhshme.
Gjatë këtij viti i kemi kushtuar rëndësi edhe avokimit për politika të konkurrencës, duke nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi me institucione të ndryshme, duke takuar përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të biznesit dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Fokus i rëndësishëm i është kushtuar edhe trajnimit të mëtejmë të stafit, me mbajtjen e një numri të konsiderueshëm të trajnimeve me ekspertë të dëshmuar ndërkombëtare e vendor në fushën e konkurrencës.
Natyrisht, ka gjithherë hapësirë për të bërë më shumë. Por, viti që po e lëmë pas më inkurajon të besoj se edhe gjatë vitit 2021 do të jemi në krye të detyrës për të siguruar një treg me mundësi të barabarta për të gjithë operatorët, si garantues për përfitime të gjithanshme ekonomike, si dhe të rrisim tutje kapacitetet tona.
Valon Prestreshi
Kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës