Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nënshkruar të enjten një Memorandum Mirëkuptimi me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), përmes të cilit palët janë zotuar që ta thellojnë bashkëpunimin në disa aspekte të rëndësishme që lidhen me punën dhe mandatin e të dy institucioneve.
Kjo marrëveshje mundëson një spektër të gjerë të bashkëpunimit, duke përfshirë shkëmbimin e informacioneve lidhur trajtimin e rasteve përkatëse me interes të përbashkët, takime dhe konsultime në nivel të ekspertëve të të dy institucioneve, shkëmbimin e përvojave në fushën e hetimeve dhe aktivitete të tjera të përbashkëta.
Gjithashtu, ndër tjerash, ky Memorandum trajton edhe çështjen e inkasimit të detyrueshëm të sanksioneve administrative të shqiptuara nga AKK, bazuar në procedurat administrativë të ATK-së. Më konkretisht, në ato raste kur ndërmarrja nuk e bën në afat të paraparë pagesën e masës së shqiptuar ndëshkuese, AKK e njofton ATK-në në zonën në të cilën banon respektivisht selinë e personit të dënuar, për të paguar shumën e masës ndëshkuese të shqiptuar, në mënyrë të detyrueshme sipas dispozitave për pagesën e tatimit.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, tha pas nënshkrimit të memorandumit se “ne jemi vazhdimisht duke takuar institucione dhe aktorë nga sektorë të ndryshëm për të avokuar për politikat e konkurrencës.”
“Në këtë kontekst, marrëveshjet sikurse kjo e sotmja përbëjnë mundësi shtesë për AKK-në për zbatimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe politikave të konkurrencës në përgjithësi,” tha ai, duke falënderuar gatishmërinë e ATK-së për nënshkrimin e memorandumit.
Në anën tjetër, Drejtori i ATK-së, Ekrem Hysenaj, tha se e ka mirëpritur nënshkrimin e këtij Memorandumi, duke shtuar se bashkëpunimi mes të dy palëve është mjaft i rëndësishëm sidomos kur trajtohen raste të ndryshme dhe komplekse.
“Ky Memorandum do t’i shërbejë edhe ATK-së në të ardhmen. Ne mbesim të përkushtuar që të kemi bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës për çështje që janë me interes për institucionet tona,” ka thënë Drejtori Hysenaj pas nënshkrimit të këtij memorandumi.