Katër sesione të ndryshme trajnimi rreth politikave të konkurrencës janë mbajtur për zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë, si pjesë e Programit të Trajnimit për muajin shkurt, të organizuar nga Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”
Ekspertët Elonas Satas, Daniel Colgan dhe Pajtim Melani prezantuan në baza javore për tema të rëndësishme të konkurrencës, ndërsa Drejtuesi i Ekipit të Projektit, Dr. Eugene Stuart, mbajti një prezantim së bashku me ta në seancën e parë të trajnimeve.
Ajo seancë u mbajt më 2 shkurt, dhe ishte e përqendruar në tema që kanë të bëjnë me marrëveshjet e ndaluara. Gjatë atij trajnimi janë shpjeguar raste të ndryshme studimore që reflektojnë përvojat e vendeve të Bashkimit Evropian mbi marrëveshjet e ndaluara.
Në seancën e dytë të trajnimit të mbajtur më 9 shkurt, ekspertët shtjelluan pozitat dominuese dhe abuzimin me këtë pozitë. Kontrolli i përqendrimeve u diskutua në sesionin e tretë të mbajtur më 16 shkurt, ndërsa në sesionin e fundit, më 23 shkurt, ekspertët shtjelluan garantimin e konkurrencës në sektorët e rregulluar.
Këto sesione trajnimi ishin shumë interaktive dhe një gamë e gjerë pyetjesh dhe dilemash interesante u ngritën për diskutim.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, të gjitha trajnimet u mbajtën përmes platformës Zoom.