1954 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Mbahet tryezë për legjislacionin dytësor të ndërlidhur me draftligjin e ri për Mbrojtjen e Konkurrencës

20 shtator 2021

Katër draft-udhëzues dhe ndryshime në tri instrumente të legjislacionit dytësor që ndërlidhen me draftligjin e ri për Mbrojtjen e Konkurrencës janë prezantuar para drejtuesve të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) në një tryezë të mbajtur më 20 shtator.

Draftimi i këtyre dokumenteve si dhe kjo tryezë janë pjesë e përkrahjes që Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore” i ofron AKK-së në fushën e zhvillimit legjislativ, që më herët ka përfshirë edhe përkrahje përmbajtjesore në përgatitjen e draftligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Draftligji i ri do ta përditësojë ligjin aktual duke e harmonizuar atë në plotëni me standardet e BE-së.

Drejtori i Përgjithshëm i AKK-së, z. Sakip Imeri, tha se ky është një aktivitet i rëndësishëm, të cilit i kanë parapri aktivitetet e përbashkëta dhe debatet për hartimin e draftligjit dhe harmonizimit me direktivat e BE-së për Konkurrencën.

Sipas tij, draftligji për Mbrojtjen e Konkurrencës është pjesë e agjendës legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2021 dhe pas miratimit nga qeveria në mënyrë që ai të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Për angazhimet dhe kontributin e eksperteve ndërkombëtar, ai ka falënderuar Projektin për ndihmën e vazhdueshme në këtë fushë.

Në anën tjetër, Dr. Eugene Stuart, Udhëheqës i Ekipit të Projektit, tha se gjithsej 15 instrumente të legjislacionit sekondar do t’i dorëzohen AKK-së gjatë muajve të ardhshëm. Ai tha se ka qenë e rëndësishme që legjislacioni dytësor të përgatitet në një kohë të njëjtë më ligjin. Stuart sqaroi se harmonizimi i plotë dhe efektiv në fushën e konkurrencës mbulon edhe legjislacionin primar por edhe atë dytësor.

“Mendoj se ka qenë një vendim i duhur vitin e kaluar që ne të vazhdojmë me punën për të bërë ndryshimet në legjislacionin dytësor, të cilat janë të nevojshme për ta plotësuar draft ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Kjo do të na kursejë kohë dhe poashtu sigurohemi të kemi një harmonizim të plotë të ligjit të konkurrencës vitin e ardhshëm”.

Shtatë draft dokumentet e prezantuara sot janë përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar nga Projekti: znj. Dina Lurje, ish-Zëvendëskryetare e Këshillit Lituanez të Konkurrencës, dhe z. Elonas Satas, Zëvendëskryetar i këtij Këshilli.

Draft-udhëzimet e prezantuara para AKK-së përfshijnë draft udhëzimin për përcaktimin e pozitës dominuese, draft udhëzimi mbi abuzimin me pozitë dominuese dhe draft udhëzimet mbi vlerësimin e efekteve të përqendrimeve horizontale dhe jo horizontale

Në anën tjetër, amendamente specifike janë propozuar në këto instrumente të legjislacionit dytësor: Udhëzimin Administrativ Nr. 06/2012 mbi format e paraqitjes së kërkesave dhe kritereve për përcaktimin e përqendrimit të ndërmarrjeve, në Rregulloren Nr. 04/2018 mbi Rregullat e procedurës së Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës

Projekti tani do të vazhdojë me draftimin e tetë instrumenteve të tjera që lidhen me draftligjin e ri, dhe të organizojë diskutim për 15 ndryshimet legjislative të propozuara me Komisionin e ri të Autoritetit Kosova të Konkurrencës, sapo këta anëtarë të emërohen.

  • Share