Nga 15 shtatori deri më 7 tetor 2021, zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) kanë marrë pjesë në tri trajnime të cilat kanë mbuluar tema që përbëjnë shtyllat kryesore të punës dhe mandatit të AKK-së: abuzimi me pozitën dominuese në treg, marrëveshjet e ndaluara/kartelet dhe përqendrimet.
Këto trajnime dy-ditore janë organizuar nga Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”, përfitues kryesor i të cilit është AKK.
Në modulin e parë të trajnimeve, eksperti Dr. Pajtim Melani, ish-zyrtar i Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës, ka prezantuar lidhur me pozitën dominuese dhe keqpërdorimin e këtij statusi. Moduli i dytë lidhur me kontrollin e përqendrimeve është zhvilluar nga eksperti Dr. Paul Prisecaru, ndërsa moduli i fundit mbi marrëveshjet e ndaluara dhe kartelet është zhvilluar nga profesor Michael Saller, i cili aktualisht është ligjërues i Ligjit të Konkurrencës në Frankfurt të Gjermanisë.
Në fjalën e tij përmbyllëse të këtyre trajnimeve, Drejtori i Përgjithshëm i AKK-së, z. Sakip Imeri, tha se prezantimet e ekspertëve kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe kanë zgjuar kërshërinë e zyrtarëve të AKK-së, meqë sipas tij, ato kanë ofruar risi për raste të shumta të konkurrencës nëpër vende të ndryshme të BE-së dhe shteteve të tjera. Ai ka thënë se e mirëpret veçanërisht faktin që ekspertët do të hartojnë udhëzues përkitazi me fushat që ata kanë prezantuar “e që do të jenë të dobishëm për zyrtarët tanë gjatë trajtimit të rasteve në të ardhmen”. Në fund, ai ka falënderuar Projektin për organizmin e këtyre trajnimeve të rëndësishme.
Në anën tjetër, Dr. Eugene Stuart, Udhëheqës i Ekipit të Projektit, ka thënë se trajnimet u mundësojnë zyrtarëve të AKK-së që të eksplorojnë në detaje parimet dhe qasjet kyçe të legjislacionit kosovar dhe të BE-së lidhur me këto fusha, analizat e zakonshme ligjore dhe ekonomike në raste të ndryshme të konkurrencës, si dhe njohuri për raste të rëndësishme të konkurrencës në nivel të BE-së. Ai poashtu ka thënë se manualet që do të përgatiten nga ekspertë për fushat përkatëse të prezantimit të tyre përveç se i plotësojnë këto trajnime, ofrojnë edhe një referencë për zyrtarët e AKK-së gjatë zbatimit të konkurrencës.
Që nga fillimi i vitit 2019 Projekti i BE-së e mbështetë AKK-në në një gamë të gjerë të fushave, përfshirë ndërtimin e kapaciteteve dhe përafrimin e legjislacionit kosovar të konkurrencës me standardet e BE-së. Në të ardhmen, si pjesë e këtij Projekti, parashihen dhe trajnime të tjera lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe politikat e konkurrencës.