1964 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Mbahet seminar për politikat e konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit në Kosovë

Në kuadër të përpjekjeve për të promovuar politikat e konkurrencës dhe për të përmirësuar koordinimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës me rregullatorë të sektorëve të ndryshëm, Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”, ka organizuar një seminar për zyrtarët e AKK-së dhe zyrtarët e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Në seminarin dy-ditorë të mbajtur më 2 dhe 3 dhjetor, tema që lidhen me politikat e konkurrencës në fushën e telekomunikacionit – siç janë përqendrimet dhe abuzimi me pozitën dominuese, si dhe disa raste të rëndësishme të konkurrencës në BE në këtë fushë – janë elaboruar nga ekspertja ndërkombëtare e angazhuar nga Projekti, znj. Ieva Jakubaviciene.

Drejtori i Përgjithshëm i AKK-së, Sakip Imeri, tha në fjalën e tij hyrëse se ky seminar është një mënyrë e mirë për të rritur bashkëpunimin ndërmjet AKK-së dhe ARKEP-it.  Sipas tij, AKK dhe ARKEP kanë një memorandum bashkëpunimi që nga viti 2011 por përpjekjet e reja - duke përfshirë takimet dhe ngjarjet e përbashkëta - janë të rëndësishme në arritjen e qëllimit të përbashkët të të dy autoriteteve për të siguruar që sektori i telekomunikaiconit në Kosovë funksionon bazuar në konkurrencën e drejtë.

Kurse Enver Bajçinca, përfaqësues i ARKEP-it, në fjalën e tij hyrëse tha se ARKEP merret ex-ante me sigurimin e konkurrencës në fushën e komunikimeve elektronike andaj ka mirëpritur organizmin e këtij seminari me AKK-në. Ai tha se ky aktivitet është një mundësi e mirë për shkëmbimin e ideve dhe ekspertizës mes zyrtarëve të të dy institucioneve si dhe ka sqaruar disa aspekte të punës së ARKEP-it që ndërlidhen me politikat e konkurrencës.

Në anën tjetër Udhëheqësi i Ekipit të Projektit, Dr Eugene Stuart, tha se një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i punës së Projektit ka të bëjë me mbështetjen për rritjen e bashkëpunimit midis Autoritetit të Konkurrencës dhe rregullatorëve të tjerë sektorialë dhe se ka hapësirë për thellimin e këtij bashkëpunimi. Dr Stuart poashtu njoftoi se trajnime të ngjashme do të zhvillohen për AKK-në dhe rregullatorë të tjerë javët dhe muajt e ardhshëm.

Projekti i financuar nga BE “Përkrahja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore” ka filluar së zbatuari në Prishtinë më 15 janar 2019 ndërsa AKK është përfitues kryesor i tij.

  • Share