1965 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Mbahet seminar për Ligjin dhe Politikat e Konkurrencës për zyrtarët e AKK-së dhe ZRRE

Në kuadër të trajnimeve të përbashkëta sektoriale dhe përpjekjeve për të promovuar një bashkëpunim më të madh mes AKK-së dhe rregullatorëve të sektorëve të caktuar, Projekti “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërorë” organizoi një trajnim dy-ditorë më 9 dhe 10 dhjetor lidhur me zbatimin e Ligjit dhe Politikave të Konkurrencës në sektorin e energjisë për zyrtarët e AKK-së dhe zyrtarët e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ky është seminari i dytë i kësaj natyre i mbajtur këtë muaj, pas atij të organizuar më 2 dhe 3 dhjetor lidhur me politikat e konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Një trajnim i ngjashëm ishte organizuar në muajin korrik me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Në fjalën e tij hyrëse, Drejtor i Përgjithshëm i AKK-së, z. Sakip Imeri, tha se zbatimi i konkurrencës në sektorët e rregulluar, siç është rasti me sektorin e energjisë, kërkon një nivel të mirë të përpjekjeve të koordinuara ndërmjet institucionit të tij, rregullatorëve të sektorit dhe ministrive përkatëse të linjës. Për këtë arsye, ai tha se AKK synon të intensifikojë bashkëpunimin me këto institucione. Në këtë kontekst, z. Imeri tha se kjo ngjarje ishte e dobishme veçanërisht në drejtim të avokimit për politikat e konkurrencës dhe thellimit të bashkëpunimit aktual ndërmjet AKK-së dhe ZRRE-së.

Petrit Pepaj, përfaqësues i ZRRE-së, tha se sektori i energjisë në Kosovë është duke u zhvilluar dhe se aktualisht janë në fazën e liberalizimit të tregut dhe krijimit të kushteve për një treg të hapur dhe konkurrues. Prandaj, angazhimi aktiv i dy autoriteteve është i një rëndësie kyçe në këtë drejtim, tha z. Pepaj.

Udhëheqësi i Ekipit të Projektit, Dr Eugene Stuart, tha se anëtarësimi i Kosovës në Traktatin e Komunitetit të Energjisë kërkon që vendi të zbatojë rregullat e BE-së për konkurrencën (dhe ndihmën shtetërore) në sektorin e energjisë dhe për këtë arsye qëllimi i këtij seminari ishte të shqyrtojë zbatimin e ligjit të konkurrencës dhe politika në sektorin e energjisë në kontekstin e ligjit të BE-së për konkurrencën. Sidoqoftë, ai theksoi se ngjarja dy-ditore nuk ishte thjesht një trajnim por një mundësi për AKK-në dhe ZRRE-në që të diskutojnë çështjet aktuale të konkurrencës në sektorin e energjisë në Kosovë dhe gjithashtu të diskutojnë për mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë si në promovimin dhe sigurimin e konkurrencës më të madhe në këtë sektor.

Në ditën e parë të seminarit, dy ekspertët e angazhuar nga Projekti për këtë aktivitet, z. Daniel Colgan dhe z. Dimitar Dimitrovski, shpjeguan temat kyçe që lidhen me politikën e konkurrencës në sektorin e energjisë, duke përfshirë kërkesat e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Kosovës dhe BE-së, Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjen CEFTA. Në ditën e dytë, ata u fokusuan kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me abuzimin me pozitën dominuese në treg dhe rregullimin e përqendrimeve në sektorin e energjisë.

Ngjarje të tjera që kanë për synim promovimin e politikës së konkurrencës në sektorët e rregulluar në muajt e ardhshëm pritet të organizohen edhe në javët dhe muajt e ardhshëm.

  • Share