Republika e Kosovës dhe Shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lishtenshtajni) janë takuar në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.
Kryetarja e Autoritetit Znj. Neime Binaku Isufi, si anëtare e ekipit negociues, ka prezantuar me pjesën e politikës së konkurrencës, me theks te rregullat dhe masat për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës.
Autoriteti i Konkurrencës si institucion i pavarur në mandatin e tij, bashkëpunon me autoritetet publike lidhur me fushëveprimin e Autoritetit, të përcaktuar me ligj dhe me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, dhe në pajtim me detyrimet e Republikës së Kosovës nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus të veçantë në rritjen e eksporteve dhe investimeve.
Autoriteti i Konkurrencës
02.09.2022