Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Neime Binaku-Isufi dhe U.D. Drejtori i Përgjithshëm z. Selajdin Beqa kanë zhvilluar takim me Ushtruesin e Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja dhe U.D, Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes dy institucioneve me qëllim të koordinimit të politikave, bazuar në implementimin e legjislacionit.
U.D, Guvernatori Bashkim Nurboja me këtë rast ka potencuar se BQK-ja, ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës, gjithnjë në frymën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shprehu interesimin që bashkëpunimi mes BQK-së dhe AKRK-së të avancojë edhe më tutje.
Në këtë takim U.D, Guvernatori Nurboja ka kërkuar që Autoriteti i Konkurrencës të shikojë rastet, ku kemi ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka. Mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.
Kryetarja e Autoritetit Znj. Neime Binaku –Isufi, theksoj se objektivi kryesor i politikës së konkurrencës është ruajtja e procesit konkurrues dhe nxitja e konkurrencës efektive në treg. Ruajtja ose nxitja e konkurrencës efektive është e domosdoshme, duke pasur parasysh kufizimet që sektori privat apo ai shtetëror/publik mund t’i bëjnë konkurrencës. Prandaj ligji i konkurrencës ndalon marrëveshjet për fiksimin e çmimit, abuzimin me fuqinë dominuese, si dhe përqendrimet që rrezikojnë të krijojnë një pozitë dominuese në treg.