2059 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Takim trepalësh ndërmjet AKRK, ARKEP dhe KPM

Sot, më datë 17/05/2023, në zyret e Autoritetit të Konkurrencës është mbajtur takim trepalësh ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës, Autoritetit të Konkurrencës (AKRK), Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM). Në këtë takim, ndër të tjera, janë diskutuar çështje të cilat ndërlidhen me punën, rolin dhe mandatin e tre institucioneve respektive.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës Znj. Neime Binaku Isufi, përmendi shkëmbimin e informacioneve si element shumë të rëndësishëm për rastet të cilat potencialisht rezultojnë me shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës nga ndërmarrjet e telekomunikimeve, internetit dhe kabllore të cilat janë të licencuar nga rregullatorët.

Sektori i telekomunikacionit ka njohur zhvillime të rëndësishme në vitet e fundit si pasojë e hyrjes së teknologjive të reja në shërbimet e telefonisë, internetit dhe shërbimeve kabllore. Progresi teknologjik dhe inovacioni kanë krijuar produkte të reja dhe tregje të reja, duke lejuar hyrësit e rinj të fitojnë me shpejtësi pozicione dhe peshë. Konkurrenca dhe rregullimi duhet të jenë të integruar tek njëri-tjetri për të monitoruar/hetuar fuqinë/pozicionet, e tregut të operatorëve.

Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” kërkon bashkëpunimin e Autoritetit të Konkurrencës me institucionet e administratës qendrore dhe vendore. Në këtë kuadër, del i domosdoshëm forcimi i bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës me këto autoritete rregullatorë. Për të rritur zbatueshmërinë e ligjit, Autoriteti i Konkurrencës po bashkëpunon dhe po ndër vepron me këto institucione.Përcaktimi dhe njohja e ndërsjellë e këtyre përgjegjësive shmang mbivendosjen e akteve juridike të dala nga këto institucione dhe mënjanon ndërhyrjet në kompetencat ligjore të njëri-tjetrit.

Po ashtu, është përmendur që në raste të caktuara lidhur me dilemat profesionale që paraqiten gjatë hetimit, institucionet përkatëse të ndihmojnë njëra-tjetrën me ekspert të fushës.

 

Prishtinë, 17.05.2023

  • Share