Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, pas takimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit, shqetësimet e publikut lidhur me blerjen e librave/teksteve shkollore, ka monitoruar tregun përkatës në Republikën e Kosovës.
Gjatë monitorimit të tregut ka vërejtur se shtëpitë botuese të teksteve shkollore janë duke i kushtëzuar libraritë e këto të fundit prindërit/konsumatorët që përveç fletores së punës detyrohen të blejnë edhe librin kryesor/bazë nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të.
Këto veprime janë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës Nr. 08/L-056, për faktin se ndërmarrjet/shtëpitë botuese kushtëzojnë ndërmarrjet/libraritë me detyrime shtesë krahas furnizimit me fletoret e punës, pranimin e librave/teksteve bazë nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të. Libraritë/pikat shitëse këtë praktikë e kanë zbatuar edhe tek prindërit/konsumatorët duke i kushtëzuar marrjen e obligimeve shtesë që krahas fletores së punës detyrohen të blejnë edhe librin bazë.
Autoriteti i Konkurrencës kërkon urgjentisht që shtëpitë botuese dhe libraritë t’i furnizojnë me fletore pune nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të, të gjitha libraritë të cilat janë të interesuara t’i kenë në dispozicion këto materiale, me qëllim që konsumatori/prindërit mos të kenë kushtëzime në blerjen e teksteve shkollore dhe fletoreve të punës, por që të njejtat blerësit t’i kenë në dispozicion.
Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron shtëpitë botuese dhe libraritë që nëse nuk marrin masa për të hequr kushtëzimin, jemi të detyruar të veprojmë konform Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës me qëllim të parandalimit të abuzimit me çmime dhe kushtëzimeve në treg, e në përputhje me nenin 37 dhe 49 të Ligjit Mbrojtjen e Konkurrencës, të nxjerrim konkluzion për fillimin e procedurës hetimore dhe të shqiptojmë Masat e Përkohshme (masa administrative).