PRISHTINË, 10 tetor 2023 – Autoriteti i Konkurrencës mbajti sot në Prishtinë konferencën “Dita e Konkurrencës” me fokus në përfitimet e konkurrencës së ndershme në Kosovë. Kjo konferencë ndërkombëtare trajtoi çështjet me të cilat përballen të gjitha autoritetet e konkurrencës, duke filluar nga sigurimi i legjislacionit modern, e deri tek zhvillimet në Bashkimin Evropian (BE-së) në evoluimin e politikës së konkurrencës, trajtimin e karteleve në tregjet kryesore, si dhe zhvillimin e avokimit real dhe efektiv.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se konkurrenca e drejtë dhe tregtia e lirë janë themeli i funksionimit tonë institucional, duke shtuar se bizneset konceptohen si partner të zhvillimit të përgjithshëm kolektiv, të forcimit të shtetësisë dhe kultivimit të një tregtie të lirë e me konkurrencë vitale.
Ndërsa, Kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës Neime Binaku-Isufi tha se “Sigurimi i përfitimeve të konkurrencës së ndershme në Kosovë mbetet sfidë, pasi ligji i konkurrencës ende nuk është kuptuar gjerësisht. Prandaj, shpresoj që përmes kësaj konference rrisim vetëdijën se si Komisioni dhe Autoriteti synojnë të vazhdojnë të punojnë në mënyrë sa më efikase për një treg me konkurrencë të lirë dhe bashkëpunim të konsoliduar me palët e interesit.”
Kjo ngjarje është përkrahur nga Bashkimi Evropian përmes projektit “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”, i cili është i pranishëm në Kosovë që nga viti 2019 për të zhvilluar më tej kapacitetin e institucional të Autoritetit, për të krijuar bazën për standardet e ekonomisë së qëndrueshme në përputhje me acquis të BE-së dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).
Johannes Stenbaek Madsen, Shef i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë: “Përderisa politika e konkurrencës ende nuk është rritur në Kosovë, kjo ngjarje shënon një pikë të rëndësishme në evoluimin e saj dhe do të kontribuojë në efektivitetin e saj në të ardhmen.”
Pasja e një politike efektive të konkurrencës në Kosovë, bazuar në standardet e BE-së, është e rëndësishme për Kosovën për një sërë arsyesh: Së pari, ajo ndihmon për të siguruar një ekonomi tregu plotësisht funksionale në vend - një element themelor i kritereve të Kopenhagës të BE-së për integrimin në BE - duke përforcuar besueshmërinë e vullnetit të vendit për të ecur në rrugën e integrimit në BE. Së dyti, përafrimi më i plotë i ligjit dhe politikës së BE-së në fushën e konkurrencës siguron që mjedisi i biznesit në Kosovë të jetë i drejtë dhe efikas në aspektin ekonomik. Së treti, ka përfitime të konsiderueshme tregtare. Ligji dhe politika moderne e konkurrencës në Kosovë mund të shihet si një mjet për promovimin e tregtisë së lirë, përveç efikasitetit dhe përfitimeve të konsumatorëve që rrjedhin në tregjet kombëtare.
Gjatë konferencës, Autoriteti i Konkurrencës u zotua që në vitet e ardhshme të vazhdojë përpjekjet për legjislacion cilësor, zbatim aktiv, të besueshëm dhe efektiv.
Konkretisht, për të bërë ndryshime të mëtejshme të nevojshme në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës (të vitit 2022), një sërë legjislacionesh të nevojshme zbatuese, riorganizime operacionale dhe hetimore, si dhe për të intensifikuar përpjekjet për avokim për të ndërtuar në mënyrë efektive një kulturë konkurrence në Kosovë, dhe për të shmangur barrierat e panevojshme rregullatore ndaj konkurrencës në tregje të ndryshme.