Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET u prit në takim nga Autoriteti i Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) me qëllim të adresimit të disa çështjeve thelbësore që ndikojnë në politikën e konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës. Në takim nga AVONET morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, Zëvendës Drejtorit Ekzekutiv Lorik Kransniqi, dhe Udhëheqësi i Departamentit të Hulumtimeve Shefki Berisha, ku u pritën nga Komisioni i AKRK-së dhe Selajdin Beqa, U.D. Drejtor i përgjithshëm i AKRK-së së bashku me Udhëheqësit e Departamenteve të AKRK-së.
Në këtë takim, u diskutuan dhe u shqyrtuan disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë nxjerrjen e akteve nënligjore nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës të cilat po kufizojnë konkurrencën e lirë në treg dhe të krijojnë monopole për operatorë ekonomikë të caktuar. Është diskutuar që këto akte të tilla mos të kufizojnë konkurrencën, dhe u diskutua për një bashkëpunim konstruktiv me AKRK-në për hartimin e rekomandimeve ndaj institucioneve që nxjerrin akte të tilla.
Gjatë takimit u diskutua edhe bashkëpunimi në fushën e prokurimit i cili u bazua në nevojën për të adresuar manipulimin e ofertave të operatorëve ekonomikë gjatë aktiviteteve të prokurimit, një çështje që hynë në domenin e kompetencave ligjore të AKRK-së për trajtim dhe hetim. Pjesëmarrësit janë pajtuar që të kujdesen për këtë çështje në mënyrë efektive dhe proaktive.
Gjithashtu, është bërë një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të bashkëpunimit mes AKRK-së dhe AVONET përmes lidhjes së një memorandumi të bashkëpunimit. Ky konsensus është shprehje e dëshirës së të dyja palëve për të përmirësuar klimën e konkurrencës dhe për të punuar së bashku në zgjidhjen e sfidave të tregut të Kosovës.
AKRK-ja dhe AVONET janë të përgatitur për të ndërmarrë hapa konkret në drejtim të këtyre qëllimeve dhe të rrisin ndikimin e tyre pozitiv në ekonominë e vendit dhe konkurrencën e lirë në treg.