Autoriteti i Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) priti në takim Zëvendës-Udhëheqësen e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë znj. Batisha Ibrahimi me qëllim të adresimit të disa çështjeve thelbësore që mund të ndikojnë në politikën e konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u diskutuan dhe u shqyrtuan disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë prokurimin publik përmes të cilit potencialisht kufizojnë konkurrencën e lirë në treg dhe të krijojnë monopole për operatorë ekonomikë të caktuar.
Gjatë takimit u diskutua edhe bashkëpunimi në fushën e prokurimit i cili u bazua në nevojën për të adresuar manipulimin e ofertave të operatorëve ekonomikë gjatë aktiviteteve të prokurimit, një çështje që hynë në domenin e kompetencave ligjore të AKRK-së për trajtim dhe hetim. Pjesëmarrësit janë pajtuar që të kujdesen për këtë çështje në mënyrë efektive dhe proaktive.
Një mjedis konkurrues siguron që të ketë hyrës potencial në garë, për të prodhuar një produkt të ri apo për të ofruar një shërbim më të mirë. Konkurrenca e fuqishme përbën nxitësin kryesor të rritjes së produktivitetit dhe siguron që tregu do të mbetet konkurrues.
AKRK-ja është e përgatitur për të ndërmarrë hapa konkret në drejtim të këtyre qëllimeve dhe të rrisin ndikimin e tyre pozitiv në ekonominë e vendit dhe konkurrencën e lirë në treg.