2173 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Autoriteti i Konkurrencës ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Bashkimi Evropian

Autoriteti i Konkurrencës ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Bashkimi Evropian për të diskutuar progresin me rregullimin dhe politikat e konkurrencës e ndihmës shtetërore në Kosovë dhe qëndrueshmërinë e arritjeve të deritashme. Në tryezë u shënua progresi i Kosovës në miratimin e rregulloreve në këtë fushë dhe u konfirmua zotimi për vazhdimin e reformave të legjislacionit të Kosovës dhe përafrimin me acquis të BE-së, si dhe zbatimi efektiv në përputhje me angazhimet e vendit sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe traktateve të tjera me BE-në.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, hapi tryezën e diskutimit me një thirrje për veprime vendimtare dhe me ndikim. Ai shprehu mirënjohjen për iniciativën e ndërmarrë nga projekti, duke theksuar rëndësinë e një diskutimi gjithëpërfshirës mbi progresin e arritur në pesë vitet e fundit.
“Kosova duhet të harmonizojë legjislacionin e saj me acquis të BE-së, të përforcojë politikën e saj të konkurrencës dhe urgjentisht të emërojë një Komision të ri të Ndihmës Shtetërore”, theksoi ambasadori Szunyog në fjalën e tij hyrëse. Ai gjithashtu theksoi se vendimet e marra nga Autoriteti i Konkurrencës duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së.

Kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës Neime Binaku-Isufi tha se "Autoriteti ka përfituar shumë nga kjo asistencë dhe për të cilën jemi shumë falenderues. Kjo na ndihmon neve, Republikës së Kosovës, në agjendën për të cilën jemi përcaktuar atë të integrimit në Bashkimin Evropian."  

Tryeza e rrumbullakët u mbajt më 25 janar në Prishtinë dhe shënon fundin e mbështetjes teknike pesëvjeçare nga projekti i financuar nga BE-ja “Mbështetje për Autoritetin e Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”. Projekti ka ofruar një mbështetje të plotë për zhvillimin e politikave të konkurrencës dhe rregulloreve të ndihmës shtetërore në Kosovë – duke mbuluar legjislacionin e ri, trajnimin e gjerë, ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen për shkallën e nevojshme të ngritjes së vetëdijes.

Udhëheqësi i Ekipit të Projektit, Dr Eugene Stuart, tha: “Mendoj se është e drejtë të thuhet se projekti dhe përfituesit kryesorë të tij kanë vendosur një themel të fortë për suksesin e Autoritetit të Konkurrencës dhe atij të Ndihmës Shtetërore, në fushat për të cilat ato janë përgjegjëse dhe në kontekstin më të gjerë të përputhshmërisë së përpjekjeve të këtyre autoriteteve me standardet e kërkuara të BE-së.”

Tryeza e cila do të vazhdoj edhe me datën 26 janar ofron një mundësi për të shqyrtuar aspektet kryesore të punës së Projektit gjatë pesë vjetëve të fundit, për të sugjeruar hapat e ardhshëm prioritar për Kosovën për të përfshirë mbështetjen e mëparshme të Projektit në punën e Autoritetit të Konkurrencës dhe autoriteteve të Ndihmës Shtetërore, dhe për të diskutuar sfidat e ardhshme në të dy sektorët.

  • Share