Sot me datë 16.05.2024, në zyret e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës, në krye me znj. Neime Binaku Isufi u mirëpritën për vizitë nënkryetari i Autoritetit të Konkurrencës së Turqisë, z. Hakan Bilir, dhe anëtari i bordit, z. Cengiz Çolak. Duke pasur parasysh se Republika e Kosovës dhe Turqia kanë marrëdhënie të shkëlqyera në çdo sferë kulturore, historike, ekonomike dhe strategjike, kjo vizitë është një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës dhe të Turqisë, duke theksuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës së Turqisë ndajnë një vizion të përbashkët për promovimin e konkurrencës së drejtë dhe të lirë në tregjet tona. Gjatë takimit, është diskutuar për rëndësinë e mbrojtjes së konkurrencës dhe nxitjes së një mjedisi të shëndoshë ekonomik për të gjitha bizneset.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte plani për të forcuar marrëdhëniet tona përmes shkëmbimit të ekspertëve në fusha të ndryshme të konkurrencës. Kjo nismë synon të rrisë kapacitetet tona profesionale dhe të sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në Kosovë, duke e bërë kështu tregun tonë më konkurrues dhe më të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit.
Vizita e z. Hakan Bilir dhe z. Cengiz Çolak ishte një mundësi e shkëlqyer për të ndarë përvojat dhe për të diskutuar mënyrat se si mund të bashkëpunojmë më ngushtë në të ardhmen. Ne kemi vlerësuar shumë këshillat dhe ekspertizën e tyre dhe jemi të bindur se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime të mëdha për të dy vendet tona.
Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet tona përmes formalizmit të marrëveshjeve dhe nismave të përbashkëta. Kryetarja e Autoritetit znj. Neime Binaku - Isufi shprehu gatishmërinë që këto marrëveshje të formalizohen shumë shpejt dhe të filloj shkëmbimi dhe trajnimi i stafit nga ekspertë të ndryshëm për të dy palët. Gjithashtu, që shkëmbimi i njohurive dhe përvojave të jetë i vazhdueshëm dhe efektiv, duke kontribuar në rritjen e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorëve në të dy vendet tona.
Është bërë një prezantim i Autoritetit të Konkurrencës rreth historikut, funksionimit, fushëveprimtarisë, të arriturave, objektivave strategjike dhe prioriteteve për të ardhmen nga ana e komisioneres znj. Salihe Gashi - Loku me ç’rast kemi pasur diskutime të ndryshme rreth sfidave dhe arritjes së zgjidhjeve të tyre.
Ne jemi të bindur që kjo vizitë është vetëm fillimi i një serie bashkëpunimesh të frytshme dhe presim me padurim mundësinë për të pritur përsëri miqtë tanë nga Turqia. Jemi të bindur se përmes këtyre bashkëpunimeve do të arrijmë rezultate të shkëlqyera dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për ekonomitë tona.
Faleminderit z. Hakan Bilir dhe z. Cengiz Çolak për vizitën tuaj dhe për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve tona. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë rrugë të përbashkët dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë në fushën e konkurrencës.