Dje, më 20.05.2024, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Neime Binaki, së bashku me zyrtarë tjerë të Autoritetit, zhvilluan një takim me Kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, z. Fadil Berjani, dhe përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve që shesin derivate, të cilët kanë shprehur ankesa ekonomike prej ditësh.
Takimi u mbajt për të adresuar shqetësimet e naftëtarëve lidhur me uljen e çmimit të naftës në disa pika shitëse në Gjilan, që sipas tyre, tregon për një konkurrencë jo të drejtë dhe ka shkaktuar krizë financiare, duke detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset.
Autoriteti i Konkurrencës po heton tregun e furnizimit dhe shitjes me pakicë dhe shumicë të naftës për të identifikuar ndërmarrjet që mund të kenë shitur nën kosto.
Duke mbledhur të dhëna nga terreni çdo ditë dhe duke dëgjuar palët e interesuara dhe të prekura nga kjo situatë, Autoriteti i Konkurrencës do të evidentojë nëse ka shenja të kufizimit, shtrembërimit ose pengimit të konkurrencës. Nëse konstatohen shkelje, do të merren masat përkatëse në përputhje me ligjin nr. 08/L-056 "Për Mbrojtjen e Konkurrencës".