Më datë 22.05.2024 pranë Komunës së Ferizajt, është mbajtur një takim në mes të Kryetarës së Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës znj. Neime Binaku-Isufi dhe Kryetarit të Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për të informuar dhe ndërgjegjësuar publikun për konkurrencën në treg.
Ky aktivitet është mbajtur me qëllim të avokimit lidhur me politikat e konkurrencës, si dhe ndërgjegjësimin institucional të aplikimit të Ligjit nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke u bazuar në tri shtyllat kryesore të cilat përcaktojnë mbrojtjen e konkurrencës: Marrëveshjet e Ndaluara (Kartelet), Abuzimi me Pozitën Dominuese dhe Bashkimet ose Përqendrimet e ndërmarrjeve.
E veçanta e këtij takimi, ka qenë prezantimi nga ana e zyrtarëve të Autoritetit të Konkurrencës për temën e Manipulimit të ofertave, rastet në të cilat Autoriteti reagon, si dhe format e manipulimit të ofertave në Prokurimin Publik.
Ndërveprimi midis politikave të konkurrencës dhe prokurimit publik është domosdoshmëri. Ato prekin njëra-tjetrën për nevojën për të trajtuar praktikat anti-konkurruese ose manipulimin e ofertave në tenderët publik.
Institucionet duhet të jenë në mbrojtje të interesit publik, gjithashtu duhet të kujdesen që të krijojnë ambient të përshtatshëm për operatorët aktual dhe nxitës për aplikimin e operatorëve të rinj në tenderët publik. Gjetja apo dyshimi për shenja të mundshme të manipulimit të ofertave nga praktikuesit e prokurimit është sinjal për të kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës dhe të kërkojë që ajo të hetojë shenjat e zbuluara.
Autoriteti ka vullnetin e plotë për të ndihmuar praktikuesit e prokurimit të zbulojnë manipulimet e ofertave që ndodhin në prokurimin publik.