Më datë 29.05.2024 pranë Komunës së Gjilanit, është mbajtur një takim në mes të Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës znj. Neime Binaku-Isufi dhe Kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për të informuar dhe ndërgjegjësuar publikun për konkurrencën në treg, duke përfshirë legjislacionin, politikat, dhe zhvillimet krahasuese. Në këtë takim ishte e pranishme edhe anëtarja e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, znj. Nafije Osdautaj
Ky aktivitet është mbajtur me qëllim të avokimit dhe rritjen e kulturës së konkurrencës, lidhur me politikat e konkurrencës, si dhe ndërgjegjësimin institucional të aplikimit të Ligjit nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Me këtë rast Kryetarja e Autoritetit znj. Neime Binaku-Isufi, me qëllim të përafrimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve, ka ofruar Mendimin Profesional të lëshuar në vitin 2024 nga Autoriteti i Konkurrencës lidhur me manipulimin e ofertave në prokurimin publik.
Po ashtu, zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës kanë mbajtur trajnim për zyrtarët e prokurimit në Komunën e Gjilanit, për temën e Manipulimit të ofertave në prokurimin publik.
Ndërveprimi midis politikave të konkurrencës dhe prokurimit publik është domosdoshmëri. Ato prekin njëra-tjetrën për nevojën për të trajtuar praktikat anti-konkurruese ose manipulimin e ofertave në tenderët publik.
Institucionet duhet të jenë në mbrojtje të interesit publik, gjithashtu duhet të kujdesen që të krijojnë ambient të përshtatshëm për operatorët aktual dhe nxitës për aplikimin e operatorëve të rinj në tenderët publik. Gjetja/dyshimi për shenja të mundshme të manipulimit të ofertave nga praktikuesit e prokurimit është sinjal për të kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës dhe të kërkojë që ajo të hetojë shenjat e zbuluara.
Autoriteti ka vullnetin e plotë për të ndihmuar praktikuesit e prokurimit të zbulojnë manipulimet e ofertave që ndodhin në prokurimin publik.