Në kuadër të aktivitetit ndërgjegjësues rreth politikave të konkurrencës i cili po zhvillohet nëpër komunat e Kosovës, Autoriteti i Konkurrencës kësaj radhe, me datë 07.06.2024 ka mbajtur takim me zyrtarët e Prokurimit pranë Komunës së Gjakovës.
Në këtë takim u diskutua rreth veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës, e cila bazohet në aplikimin e Ligjit nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit, kulturës si dhe politikave të cilat i praktikon ky institucion, për të ndaluar të gjitha format e shtrembërimit apo kufizimit të konkurrencës.
Duke qenë se qëllimi kryesorë i këtij aktiviteti është përafrimi i bashkëpunimit institucional, zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës kanë mbajtur trajnim për temën e Manipulimit të ofertave në tenderët publik.
Pasi që, fushëveprimi i konkurrencës dhe prokurimit publik ndërlidhen me njëra-tjetrën për të trajtuar praktikat anti-konkurruese ose manipulimin e ofertave në prokurimin publik, është e domosdoshme që institucionet të angazhohen për krijimin e një ambienti të favorshëm për operatorët ekonomik aktual si dhe të nxisin aplikimin e operatorëve të rinj në prokurimin publik.
Me këtë rast, zyrtarët e Autoritetit kanë ofruar Mendimin Profesional të lëshuar në vitin 2024 nga Autoriteti i Konkurrencës lidhur me manipulimin e ofertave në prokurimin publik.
Duke u bazuar në strukturën ekonomike në vend, e cila po përjeton ndryshime progresive, është e domosdoshme që institucionet të angazhohen për zhvillim të mirëfilltë të procedurave konkurruese duke bashkëpunuar me Autoritetin në rast të dyshimit apo gjetjes së shenjave të mundshme të manipulimit të ofertave nga praktikuesit e prokurimit.
Autoriteti ka vullnetin e plotë për të ndihmuar praktikuesit e prokurimit të zbulojnë manipulimet e ofertave që ndodhin në prokurimin publik.