2272 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Autoriteti i Konkurrencës fillon hetim ndaj Artmotion Shpk dhe monitorim të tregjeve tjera përkatëse

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës, në Mbledhjen e radhës me datë 12.07.2024 në pajtim me dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka filluar procedurën hetimore ndaj ndërmarrjes Artmotion Shpk për çrregullim të konkurrencës në tregun përkatës si dhe monitorimin e ndërmarrjeve mbi dyshimet të përqendrimeve të pa notifikuara dhe tregun e sigurimeve.  

Autoriteti i Konkurrencës ka pranuar një ankesë nga një ndërmarrje kundër Artmotion Shpk me pretendimin se ka kushtëzuar padrejtësisht lidhjen e kontratave për transmetim të kontentit (përmbajtjes) së disa kanaleve televizive në Republikën e Kosovës, ka penguar zgjerimin e saj në zona tjera gjeografike dhe kushtëzime tjera. Kjo praktikë konsiderohet në kundërshtim me rregullat për promovimin e konkurrencës së lirë, të hapur dhe të drejtë.

Pas shqyrtimit paraprak, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar hetimin ndaj Artmotion për shtrembërim të konkurrencës ne treg dhe vendosje të kushteve diskriminuese ndaj ndërmarrjeve tjera duke i vendosur në pozita të pafavorshme konkurruese. Ky hetim synon të sigurojë që të gjitha praktikat e biznesit në treg të jenë të drejta dhe konkurruese.

Po ashtu Komisioni ka vendosur monitorimin e përqendrimeve të pa notifikuara nga ndërmarrje të ndryshme në tregun e Republikës së Kosovës.

Mos njoftimi për një përqendrim nënkupton mos informimin e Autoritetit të Konkurrencës për transaksione që mund të ndikojnë në strukturën e tregut. Këto përqendrime përfshijnë bashkimet, blerjet apo marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat mund të krijojnë apo forcojnë pozitën dominuese në treg dhe të pengojnë konkurrencën e lirë.

Autoriteti i Konkurrencës edhe njëherë njofton palët e interesit se sipas Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ndërmarrjet kanë obligim ligjor të njoftojnë njehrit të kërkojnë aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo përqendrim që përmbush pragjet e përcaktuara në ligj. Dështimi për të bërë këtë njoftim mund të rezultojë me masa ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe anulimin e transaksionit.

Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të monitorojë dhe të hetojë çdo shkelje të mundshme të ligjit që mund të ndikojë në konkurrencën e drejtë në tregun e Kosovës. 

 

Prishtinë,
15.07.2024

  • Share