Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës vazhdon të jetë aktiv në aspektin e ndërgjegjësimit apo avokimit lidhur me veprimtarinë qe zhvillon ne fushën e konkurrencës, ku më datë 17.07.2024 është zhvilluar takim në mes të Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës znj. Neime Binaku-Isufi dhe Kryetarit të Komunës së Prizrenit z.Shaqir Totaj.
Pjesëmarrës në takim ishin edhe përfaqësues nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në takimin e mbajtur është diskutuar rreth rëndësisë se konkurrencës efektive në tregun e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit, kufizimit ose shtrembërimit te konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Kosovës përmes aplikimit të Ligjit nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Pasi që veprimtaria e Autoritetit të konkurrencës ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, është e rëndësishme të promovohet bashkëpunimi institucional, për këtë arsye zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës kanë mbajtur trajnim për temën e Manipulimit të ofertave në tenderët publik në Komunën e Prizrenit – Departamenti i Prokurimit.
Ndërlidhja mes fushëveprimit të konkurrencës dhe prokurimit publik kuptohet duke u angazhuar në zbulimin e manipulimit të ofertave, duke luftuar në mënyrë të përbashkët dukuritë negative dhe për të promovuar integritetin dhe rritjen ekonomike.
Institucionet duhet të jenë në mbrojte të interesit publik, gjithashtu duhet të kujdesen që të krijojnë ambient të përshtatshëm për operatorët aktual dhe nxitës për aplikimin e operatorëve të rinjë në tenderët publik. Gjetja/Dyshimi për shenja të mundshme të manipulimit të ofertave nga praktikuesit e prokurimit është sinjal për të kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës dhe të kërkojë që ajo të hetojë shenjat e zbuluara.
Prishtinë 17.07.2024