2281 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Autoriteti i Konkurrencës hap procedurë hetimore ndaj 4 operatorëve kabllor

Njoftim për medie
12.08.2024

Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se me datë 08.08.2024 ka nisur një hetim të thelluar lidhur me dyshimin e bazuar për arritjen e marrëveshjes së ndaluar/kartel për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregjeve në sektorin e telekomunikacioneve nga disa operatorë me ndikim në treg. Konkluzioni për hetim të thelluar përfshin kompanitë: Artmotion sh.p.k; Kujtesa Net sh.p.k; Telkos l.l.c; dhe ISP Broadcast sh.p.k.

Autoriteti i Konkurrencës, në përputhje me mandatin e tij dhe ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, për të mbrojtur dhe promovuar konkurrencën e drejtë dhe të lirë, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në shqyrtimin paraprak të këtij rasti. Gjatë shqyrtimit janë grumbulluar dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se këto kompani kanë krijuar një sistem për të fiksuar çmimet, për të ndarë tregun dhe për të kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët.

Këto veprime jo vetëm që rrisin çmimet për konsumatorët, por gjithashtu krijojnë një mjedis të padrejtë për bizneset e tjera që operojnë në të njëjtin sektor, duke zvogëluar konkurrencën dhe duke shtrembëruar tregun. Ky hetim synon të sigurojë se çdo veprim i tillë që dëmton konkurrencën do të trajtohet sipas ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës do të përdorë të gjitha mjetet e tij ligjore dhe hetimore për të siguruar që tregu i telekomunikimeve të funksionojë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.

Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të vazhdojë punën e tij në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke u siguruar që çdo vendim të merret mbi bazën e provave të siguruara dhe sipas ligjeve në fuqi.

Autoriteti i Konkurrencës është i angazhuar që të mbrojë konkurrencën në Republikën e Kosovës dhe të sigurojë që të gjithë operatorët të respektojnë ligjet dhe rregullat e vendosura. Ne do të vazhdojmë të informojmë publikun dhe palët e interesuara për zhvillimet e mëtejshme të këtij hetimi përmes komunikimeve zyrtare.


Me respekt!

  • Share