Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi kanë pritur në një takim kryetaren e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Neime Binaku-Isufi dhe 2 ekspertë të konkurrencës z. Rizah Arifi dhe z. Albion Rexhepi.
Në takim u diskutuan gjetjet në terren dhe procesi i përgjithshëm i përzgjedhjes dhe shpërndarjes së librave nga shtëpitë botuese tek libraritë në Republikën e Kosovës.
Me theks të veçantë, u diskutua vazhdimi i monitorimit, evidentimit të shkeljeve të mundshme ligjore dhe hapave të mëtutjeshëm drejt përmirësimit të procesit së shpërndarjes së librave në mënyre adekuate, pa kushtëzime apo kufizime të ndryshme.
Me këtë rast, u dakorduan që të shkëmbehen informata të shqetësimeve dhe ankesave të ndryshme ndërmjet dy institucioneve dhe do të adresohen konform legjislacioneve në fuqi.
Autoriteti i Konkurrencës së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të vazhdojë monitorimin me kujdes të tërë procesit në fjalë, do të vazhdohet të evidentohen shkeljet e ndryshme ligjore jo vetëm të konkurrencës dhe do të adresohen në institucionet përkatëse.
Në fund, ministrja znj. Arbërie Nagavci dhe kryetarja znj. Neime Binaku-Isufi, u bëjnë thirrje të gjithë shtëpive botuese, librarëve apo personave përgjegjës të shitjes/distribuimit të teksteve shkollore, që të mos bëjnë veprime të kundërligjshme me kushtëzime, kufizime, shpërndarje jo proporcionale të teksteve shkollore apo çfarëdo mënyre që kontribuojnë në çrregullime të procesit të shpërndarjes së librave në këtë kohë dhe mund të bien në domenin e shtrembërimit të Konkurrencës.
Përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës u zotuan se praktikat që shtrembërojnë konkurrencën janë të papranueshme (marrëveshjet e ndaluara dhe abuzimi me pozitën dominuese) dhe si të tilla do të trajtohen nga Komisioni i Konkurrencës.
Prishtinë, 30.08.2024