2344 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Autoriteti i Konkurrencës në Konferencën e 20-vjetorit të Qendrës Rajonale të Konkurrencës (RCC)

Budapest, 28 Shkurt 2025 - Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës, znj. Neime Binaku-Isufi, së bashku me U.D. Udhëheqësin e Divizionit për Marrëveshje të Ndaluara z. Albion Rexhepi, morën pjesë në konferencën e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale të Konkurrencës (RCC) në Budapest, e cila operohet nga Autoriteti i Konkurrencës së Hungarisë (GVH) dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Kjo qendër trajnuese ka shërbyer si një platformë për ndarjen e njohurive mbi politikat e konkurrencës në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Perëndimore gjatë dy dekadave të fundit.

Konferenca u organizua në ambientet e GVH-së dhe u hap nga z. Csaba Balázs Rigó, Presidenti i GVH-së, si dhe z. Bence Gerlaki, Zëvendës Sekretar i Shtetit për Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, Investimet e Jashtme, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Tregtinë në Ministrinë për Ekonomi Kombëtare të Hungarisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të autoriteteve të konkurrencës nga rajoni dhe më gjerë, duke ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në fushën e politikës së konkurrencës. Pjesëmarrësit përfshinin z. Benoît Cœuré, President i Autoritetit të Konkurrencës së Francës dhe Kryetar i Komitetit të Konkurrencës të OECD-së, z. Carmine Di Noia, Drejtor për çështjet Financiare dhe ndërmarrjet në OECD, si dhe përfaqësues nga Shqipëria, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Uzbekistani.

Gjatë konferencës, z. Albion Rexhepi prezantoi një rast të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës lidhur me liberalizimin e tregut të sigurimeve të automjeteve, respektivisht të sigurimit të detyrueshëm TPL. Ai theksoi se Banka Qendrore e Kosovës vitin e kaluar ka bërë zotime për të filluar procesin e liberalizimit të këtij tregu, duke pasur kujdes të veçantë në ruajtjen e stabilitetit financiar. Gjithashtu, gjatë prezantimit, ai tregoi sfidat dhe diskutimet që Autoriteti i Konkurrencës ka pasur me BQK-në në lidhje me këtë çështje, duke theksuar rëndësinë e një tregu të hapur dhe konkurrues për të mirën e konsumatorëve dhe sektorit financiar në tërësi. Ai shtoi se për të mundësuar një proces të suksesshëm të liberalizimit të tregut, është e nevojshme që të bëhen ndryshime ligjore që do të lehtësonin këtë tranzicion, për promovimin e konkurrencës së lirë dhe efektive.

Po ashtu, z. Rexhepi promovoi aftësitë e tij si Data Scientist, duke demonstruar se si programet e specializuara si Power BI mund të ndihmojnë dhe përshpejtojnë analizat e ndryshme. Prezantimi i tij u mirëprit dhe u përshëndet nga kryetarët e agjencive pjesëmarrëse, të cilët e vlerësuan këtë inovacion si një mjet efektiv për analizën e tregjeve dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna. Ai theksoi se Power BI ndihmon në konstatimin e pozitës dominuese, analizën e çfarëdo lloj tregu dhe identifikimin e sjelljeve të njëjta të ndërmarrjeve në tregun përkatës. Pas konferencës, disa kryetarë pjesëmarrës kërkuan ekspertizën e z. Rexhepi për të implementuar këso programe edhe tek agjencitë e tyre përkatëse. Për këtë arsye, ai inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të kenë ekspertë të shkencës së të dhënave në institucionet e tyre, për shkak të efikasitetit, kursimit të kohës dhe saktësisë që ofron kjo fushë.

Përveç kësaj, konferenca shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira me përfaqësues nga shtetet fqinje dhe vende të tjera. Pjesëmarrësit ndanë njohuri mbi inovacionet dhe metodat e reja që autoritetet e tyre përdorin në raste të ndryshme, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejshëm të politikave dhe praktikave të konkurrencës në Kosovë.

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, mbetet i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave që kontribuojnë në zhvillimin e një tregu konkurrues dhe transparent.

  • Share