2351 - Lajmi_single | Autoriteti Kosovar i Konkurrences

Autoriteti i Konkurrencës adreson ankesat e rritjes së çmimeve dhe intensifikon monitorimin e tregut

Kohëve të fundit, në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK) janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate, sqarojmë se AKRK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.

Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKRK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.

Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg - praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKRK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë.

Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKRK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKRK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Autoriteti është duke trajtuar produktet e shportës ushqimore, dhe Arsyeja kryesore e kësaj analize/monitorimi, është të përcaktojë strukturën e tregut dhe pjesëmarrësit ne tregun përkatës, fuqinë përkatëse si dhe një pamje të situatës, fenomeneve dhe dobësitë e mundshme të tregut që në raste të caktuara  mund të shkaktojnë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kjo analizë ka filluar në mes të rritjeve të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët, zhvillimeve globale dhe evropiane në zinxhirin e furnizimit dhe rritjes së inflacionit.

Autoriteti po ashtu, do të bashkëpunoj edhe me Doganën e Kosovës, ATK dhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që të bëjë një analizë/monitorim sa më të mirë dhe domethënës.

Analiza e këtij tregu do të prezantohet para palëve të interesit, institucioneve lokale dhe qendrore si dhe publikut të gjerë. Autoriteti mbetet i përkushtuar që të zhvillojë edhe më tutje bashkëpunimin ndërinstitucional dhe hetimet në treg me qëllim të adresimit dhe zgjidhjeve të kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Share