Me datë 15.04.2025, është mbajtur një takim ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës dhe kompanisë e cila mirret me Tregtinë me pakicë të artikujve ushqimorë – Proex Sh.p.k. Interex,
Në këtë takim nga Autoriteti kanë marrë pjesë Kryetarja e institucionit znj. Neime Binaku-Isufi, U.D. Drejtori i Departamentit të tregut z. Etrit Tetova dhe U.D Shefi i Departamentit të Analizës, Metodologjisë dhe të Drejtave Ekskluzive,z. Adrian Mustafa kurse nga kompania ka marrë pjesë z. Shaip Mikullovci– Pronar, CEO i kompanisë Arianit Hazmaj dhe stafi mbështetës i kompanisë.
Qëllimi i takimit ishte studimi i tregut, të cilin Autoriteti e ka filluar për Monitorimin/Hulumtimin e shitjeve të produkteve bazë tek rrjeti i shitjeve me pakicë në Republikën e Kosovës.
Analiza e tregut u nis në mes të rritjeve të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët, zhvillimeve globale dhe evropiane në zinxhirin e furnizimit dhe rritjes së inflacionit.
Arsyeja kryesore e këtij shqyrtimi paraprak/monitorimi, është të përcaktojë strukturën e tregut tek rrjeti i shitjeve me pakicë dhe pjesëmarrësit ne tregun përkatës, fuqinë përkatëse si dhe një pamje të situatës, fenomeneve dhe dobësitë e mundshme të tregut që në raste të caktuara mund të shkaktojnë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Autoriteti mbetet i përkushtuar që cmimet bazike të shportës ushqimore të i trajtoj me kujdes të veqantë dhe me prioritet, andaj do të vazhdoj me takime me kompanitë tjera në këtë treg.
Kjo analizë e shitjeve të produkteve bazë tek rrjeti i shitjeve me pakicë është duke u kryer në koordinim të ngushtë edhe me Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.