Në punëtorinë e sotme kushtuar ndërtimit të një platforme gjithëpërfshirëse për dialog të hapur mbi prokurimin elektronik në Kosovë, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, znj. Neime Binaku-Isufi, theksoi rëndësinë jetike të garantimit të konkurrencës së ndershme në çdo hap të procesit të prokurimit publik.
Institucionet publike kanë përgjegjësi që të hartojnë dokumentacionin tenderues në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese, duke mos lejuar që kriteret të reduktojnë ose eliminojnë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar të mbikëqyrë më nga afër proceset tenderuese që paraqesin rrezik për marrëveshje të ndaluara, dhe të bashkëpunojë ngushtë me KRPP-në dhe institucionet tjera relevante për të parandaluar kurdisjen e tenderëve – një dukuri që dëmton drejtpërdrejt buxhetin publik dhe qytetarët.
Prokurimi elektronik është një mjet kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit – dhe Autoriteti është i angazhuar që të avokojë më fuqishëm për konkurrencë të lirë dhe të ndershme në këtë fushë jetike.