Me datë 30.05.2025, është mbajtur një takim ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës “AKRK” dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji “ZRrE”
Në këtë takim nga AKRK kanë marrë pjesë Kryetarja znj. Neime Binaku Isufi, Drejtori i Përgjithshëm z. Selajdin Beqa, Udhëheqësi i Pozitës Dominuese z. Rizah Arifi dhe U.D. Udhëheqësi i Divizionit të Analizës, Metodologjisë dhe të Drejtave Ekskluzive, z. Adrian Mustafa. ndërsa nga ZRrE kanë marrë pjesë Bordi i ZRrE-së.
Qëllimi i takimit ishte procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, proces ky që është pjesë e angazhimit të ZRrE-së për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, me qëllim rritjen e konkurrencës, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Nga Bordi i ZRrE-së jemi njoftuar se liberalizimi i tregut ka qenë një angazhim i ZRrE-së që nga viti 2017, i cili është ndërprerë përkohësisht për shkak të pasojave të pandemisë dhe të krizës energjetike, të cilat krijuan pasiguri në furnizimin dhe stabilitetin e tregut të energjisë. Megjithatë, tani sipas Bordit të ZRrE-së janë plotësuar kushtet e nevojshme për t'u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës. Sipas ZRrE-së numri operatorëve të licencuar deri më tani është 21 kompani. Me këtë rast këto operator do të kontaktohen nga Autoriteti i Konkurrencës me qëllim avokimin për politikën e konkurrencës në sektor të liberalizuar.
Për më tepër, ZRrE është zotuar se do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi.
Funksioni i drejtë i tregut të energjisë elektrike është thelbësor për një ekonomi të shëndoshë dhe konkurrencë të mirëfilltë ndërmjet ndërmarrjeve.
Transparenca është një nga parimet themelore për të siguruar drejtësi dhe përgjegjshmëri në procesin e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike. Një proces transparent kontribuon në krijimin e besimit midis konsumatorëve, ndërmarrjeve dhe rregullatorëve të tregut.
Autoriteti mbetet i përkushtuar që të monitorojë me kujdes të veçante dhe me prioritet liberalizimin e këtij tregu duke mos lejuar keqpërdorim të Pozitës Dominuese individuale, e cila mund të ketë mbi 40% të tregut relevant, si dhe ndërmarrjet e përbashkëta ose grupimi i ndërmarrjeve të cilat kanë mbi 60% të tregut përkatës.
Prishtinë, 31 maj 2025